|
Aksionet janë letra me vlerë dhe vëllim të caktuar, të cilat emetohen nga shoqëritë aksionare dhe u shiten personave privat ose institucioneve. Qëllimi i shitjes së Aksioneve është grumbullimi i kapitalit të nevojshëm për themelimin dhe funksionimin e këtyre shoqërive. Aksioni paraqet një titull pronësie, i cili e vërteton pjesën e kapitalit të shoqërisë aksionare që i takon poseduesit të tij. Kjo do të thotë se me posedimin e Aksioneve, pronarët e tyre janë pjesëmarrës në pronësinë e shoqërisë aksionare në bazë të numrit të Aksioneve që ata posedojnë dhe vlerës së tyre: Vlera e Aksioneve të një shoqërie aksionare që ju posedoni, paraqet pjesën e pronësisë suaj në këtë shoqëri aksionare.
Përveq të drejtës së pronësisë, posedimi i Aksioneve i jep të drejtë Aksionerit (poseduesit të Aksioneve) të marrë pjesë nëpërmjet asamblesë së përgjithshme të aksionarëve në drejtimin e punëve të shoqërisë aksionare dhe ndarjen e fitimit të saj. Nga pjestimi i vleftës totale të kapitalit aksionar me numërin e përgjithshëm të Aksionave të emetuara rezulton vlefta (çmimi) nominale i çdo Aksioni. Shoqërive aksionare u ndalohet emetimi i Aksioneve nën vleftën nominale të tyre. Atyre u lejohet emitimi i tyre me vleftë mbi atë nominale, nëse kjo mbivleftë nuk u shpërndahet Aksionerëve por kalon në kapitalin rezervë të shoqërisë. Përveç kësaj, në çdo shtet, për vleftën nominale të Aksioneve, vendosen me ligj madhësi minimale dhe maksimale, të cilat duhet gjithsesi të respektohen nga të gjitha shoqëritë aksionare. Shoqëria aksionare duhet të shesë të gjtha Aksionet e emetuara dhe me përjashtim të disa rasteve të specifikuara me ligj, ajo ndalohet të mbajë Aksione të veta në portfolion e saj. Aksionet si letra me vlerë shitblihen lirisht – në pjesën më të madhe nëpërmjet Bursës së Aksioneve. Investitorët që investojnë në Aksione, synojnë të nxjerrin fitime nëpërmjet dy rrugëve: nëpermjet fitimit ose interesit, që shoqëria aksionare çdo vit shpërndanë në formë dividendi nëpërmjet rritjes së çmimit (kursit) të Aksioneve nga një periudhë në tjetrën në krahasim me atë të blerjes së tyre.
Për këto arsye investitorët para investimeve të tyre në një lloj Aksionesh marrin parasysh jo vetëm madhësinë e dividendit që mund të marrin, por edhe perspektivat e zhvillimit të çmimeve (kurseve) të Aksioneve përkatëse në të ardhmen. Vlen të theksohet se tregu i Aksioneve është njëri prej tregjeve më të rëndësishme të letrave me vlerë, me mundësi jo vetëm fitimesh por edhe humbjeve. Luhatjet e çmimeve (kurseve) të Aksioneve studiohen me metoda speciale, të cilat marrin parasysh jo vetëm treguesit kryesorë të kompanisë përkatëse por edhe treguesit e makroekonomisë në përgjithësi.
__________ Referencat: Rudolf Volkart: "Corporate Finance" Aristotel Pano: "Fjalor Ekonomiko-Financiar" |