|
Fragmenti i mëposhtëm i analistit të rëndësishëm të paqes dhe konfliktit, Ernst-Otto Czempiel, argumenton, se simboli i epokës është rajonalizimi – dhe jo globalizimi.
"Globalizimi duket se është tregues karakteristik i shek. të 20-të, që sapo ka dalë. E megjithatë ai është në gojën e të gjithëve. Ne fakt bota është shndërruar në një horizont përvojash të shoqërisë. Mediat në mbarë botën informojnë se lidhjet e transportit janë globale, korporatat ndërkombëtare përfaqësohen në shumë vende të botës. Globalizimi përdoret edhe në mënyre argumentative për ndryshime të dëshiruara në politikë dhe ekonomi. Kjo shërben për inskenimin e shndërrimit politik.
Termi i globalizimit nuk i bën dot ballë një verifikimi dhe analize më të hollësishme. Ndërkombëtarizimi i ekonomisë botërore i ka fillimet e veta në mes të shek. të 19-të, pra korporatat ndërkombëtare në mesin e viteve '60 vetëm sa kanë zgjeruar atë, që kishin filluar më parë. Ato vazhdojnë të mos jenë të përfaqësuara në të gjithë botën. Zona e tërheqjes së tyre, vendet industriale dhe vendet-prag, shtrihet në një rrip të ngushtë duke nisur nga Amerika e Veriut mbi Evropën Perëndimore deri në Azinë Juglindore. Në veri dhe jug të kësaj zone globalizimi nuk ndihet shumë. Më shumë se gjysma e njerëzmit duhet të udhëtojë dy ditë të tëra për të arritur në telefonin më të largët. Pra bota duhet të presë edhe një pjesë të mirë kohe derisa të globalizohet për nga niveli i mirëqenies.
Ka procese me rreze globale veprimi. Gjatë Luftës së Ftohtë një proces i tillë ishte kërcënimi me armë bërthamore. Përdorimi i tyre do të kishte patur efekte në mbarë botën, ndoshta do të kishte asgjesuar të gjithë globin. Ndotja e ajrit dhe e ujit mund të jetë fatkeqësi e të gjithë njerëzve, po kështu ndryshimi i klimës. Këto procese nuk duhen nënvlerësuar, por duhen marrë seriozisht. Gjithësesi ato nuk e përligjin ngritjen e globalizimit në simbol të epokës.Por në termin e globalizimit luhatet edhe një kuptim tjetër sistematik. Globalizim nuk do të thotë vetëm rreze veprimi, por edhe varësi. Shtetet janë të lidhura me njëri-tjetrin. Ato nuk janë më të izoluara, autonome në plotësimin e kërkesave të tyre politike. Ato varen nga njëri tjetri. Kush flet për globalizimin ka parasysh këtë varësi, interdependencën. Kjo është në fakt diçka e re, para pesëdhjetë vitesh nuk ekzistonte ende, ose krejtësisht në mënyrë të papërcaktuar. Por edhe sot interdependenca nuk është globale. Këtë e tregon kriza e ekonomisë botërore e gjysmës së dytë të viteve '90. Fillesën e saj ajo e kishte në Azinë Juglindore dhe efektet në shtetet e industrializuara. Por këto vende nuk hynë në krizë. Ky efekt u shfaq në nivel rajonal por jo global. (...). Termi i globalizimit tregon drejt por jo shume qartë, se pozicioni i shtetit në fund të shek. të 20.-të ka ndryshuar në mënyrë të dyfishtë. Ai mbulohet nga proceset e ndërvarësisë, që i mundësojnë një shteti të arrijë qëllimet e veta vetëm atëherë, kur shtetet e tjera bashkëpunojnë. Shteti mbërthehet ngushtë me fqinjët e vet. Ky proces zhvillohet kryesisht në nivel rajonal. Për këtë arsye rajonalizimi është tipari karakterizues i epokës, dhe jo globalizimi. Vetëm pak procese kanë një rreze veprimi mbarëbotërore: shkatërrimi i mundshëm atomik, ndotja e ajrit dhe ajo e ujit. Në të njëjtën kohë në botën e shteteve të industrializuara shteti mbetet prapa në krahasim me aktorët e shoqërisë. Këta kanë dalë nga kontrolli i qeverive dhe janë emancipuar duke ndërtuar lidhjet e veta të veprimit në politikën ndërkombëtare. Përmes bashkëpunimit me partnerë në shtetet e tjera krijohet një rrjet ndërveprimesh shoqërore, që i rri mbi kokë shtetit. Aktorë të këtij lloji nuk janë vetëm – megjithëse në pjesën më të madhe është e vërtetë – korporatat ndërkombëtare. Aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë janë edhe organizatat jo-qeveritare si amnesty international ose OXFAM." [nga: Ernst-Otto Czempiel, Regionalizimi dhe Globalizimi – sfidat e politikës së jashtme gjermane; në: Fondacioni Friedrich-Ebert, Akademia e edukimit politik (Hg.), Politika globale për një botë globale – Trashëgimia e Willy Brandt, Bonn 1999, f. 24-25 dhe 30-31] __________ marrë nga dadalos |