Interesat e bonove të thesarit po rriten në çdo ankand, duke shtrenjtuar borxhin që merr qeveria.
Me anë të kontrollit të ofertave në ankand, bankat e mëdha të sistemit, mbeten edhe përcaktuesit e interesave të borxhit qeveritar. ... (3/10/06)
Tremujori i fundit i këtij viti, duket se do të jetë edhe më i mirë përsa i përket fitimeve të bankave të mëdha, nga interesat e borxhit që ato i japin qeverisë. Interesat e bonove të thesarit, nga ankandi në ankand, kanë pësuar një rritje të konsiderueshme, mesatarisht dy deri në tre për qind më të larta se interesat e depozitave që aplikojnë bankat e nivelit të dytë. Në ankandet e rradhës, të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë, vihet re se bankat kryesore që blejnë borxhin e qeverisë ofrojnë më pak nga çfarë kërkon qeveria, duke ndikuar në rritjen e interesave të borxhit qeveritar. Mungesa e konkurrencës, që vjen si shkak i mënyrës së ndërtimit të tregut të letrave me vlerë të qeverisë, i lejon këtyre institucioneve që zotërojnë edhe rreth 73% të aktiveve të sistemit, të bëjnë presion për një rritje të vazhdueshme të interesave. Periudha e tanishme është e përshtashme për të bërë marrëveshje për rritje interesash, pasi qeveria është në momentin e rritjes së shpenzimeve qeveritare, që përputhet edhe me riskedulimin e borxhit qeveritar dhe me nisjen e investimeve publike të propozuara në buxhetin shtesë. Nga ana tjetër qytetarët, të cilët marrin pjesë në ankandet e bonove të qeverisë, nuk mund të jenë përcaktues për fatin e mbarëvajtjes së tyre, për shkak të peshës së papërfillshme që zënë në ofertë. Çdo javë, qeveria merr hua nëpërmjet shitjes së bonove të thesarit tek bankat, institucionet financiare dhe tek individët. Banka e Shqipërisë organizon ankande për shitjen e bonove të thesarit 3,6 dhe 12-mujore, për llogari të qeverisë shqiptare. Këto para që qeveria i merr borxh, i përdor për të mbuluar deficitin mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Paratë mund të përdoren për paga buxhetorësh, pagesa të kësteve të borxheve ndaj shteteve, apo kompanive ndërkombëtare, investime, etj.
Interesat
Në ankandin e fundit të zhvilluar në mes të javës së shkuar, bankat nuk ofruan as 50 për qind të shumës që kërkonte qeveria. Qeveria kërkoi rreth 94 milionë dollarë borxh, me maturim njëvjeçar, ndërkohë që bankat ofruan vetëm 36 milionë dollarë. Ky është edhe ankandi i parë, kur Banka e Shqipërisë sinjalizon se shuma e kërkuar nga ana e investitorëve, për borxhin qeveritar, është rreth tri herë më e vogël se oferta e bërë nga ana e qeverisë, për afatin 12-mujor. Ky ka qenë edhe një nga shkaqet që interesat kanë pësuar rritjen më të lartë prej një muaji. Interesi mesatar i ponderuar, që është emetuar ky borxh, ka rezultuar 7,13%. Ndërkohë që, nga mesi i muajit gusht e deri tani, interesat janë rritur me 1 për qind. Situata pothuajse i ngjan asaj të vitit të kaluar, kur në muajin nëntor, interesat e bonove e kaluan nivelin prej 9 për qind. Duke parë këtë situatë, Banka e Shqipërisë u detyrua të kreditonte vetë qeverinë shqiptare, për të frenuar rritjen e mëtejshme të interesave të borxhit.
Individët
Qytetarët i kanë shumë të kufizuara mundësitë për të marrë pjesë në tregun primar të bonove të thesarit. Lënia në dorë të bankave e ankandeve të borxhit qeveritar ua jep mundësinë këtyre të fundit, që bëjnë presione për rritje të interesave në periudha të kërkesës së lartë të qeverisë për borxh. Një situatë e tillë, bëhet edhe më e përshtatshme nga ana e këtyre institucioneve financiare, në një kohë kur pjesa e dytë e vitit, është edhe periudha kur maturohet një pjesë e borxhit qeveritar dhe kërkesa e qeverisë në këtë periudhë për borxh, ka qenë historikisht më e lartë. Individët, kanë mundësi të pakta për të marrë pjesë në ankandet e zhvilluara në tregun primar, dhe mundësia e vetme për ta, mbetet blerja te bankat e nivelit të dytë kundrejt komisioneve.
__________
marrë nga shekulli online / Eltion Hoxha